Mustafa Deveci
17 Dhjetor 2018•Përditësim: 17 Dhjetor 2018
KUDS (AA) – Administrata e Facebook-ut bllokoi profilin e djalit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, raporton Anadolu Agency (AA).
Djali i kryeministrit izraelit, Yair Netanyahu javën e kaluar postoi mesazhe në Facebook, të cilat administrata e rrjetit social i fshiu.
"Paqja në këtë zonë nuk mund të vijë derisa nuk largohen të gjithë hebrenjtë apo të gjithë muslimanët. Unë preferoj opsionin e dytë", shkroi Yair Netanyahu në llogarinë e tij.
Djali i kryeministrit izraelit më pas sulmoi administratën e Facebook-ut, e cila iu përgjigj me një bllokadë të përkohshme të profilit.
Yair Netanyahu më pas përmes rrjetit Twitter akuzoi Facebook-un për penalizimin për shkak të kritikave.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po përballet me një krizë politike në vend dhe akuza të shumta për korrupsion, ndërsa shpesh herë vihet në një situatë të pakëndshme edhe djali i tij 27-vjeçar Yair, i cili është i njohur për postet e tij të papërgjegjshme në rrjetet sociale.