Zehra Ulucak
23 Korrik 2019•Përditësim: 24 Korrik 2019
Qeveria e Indisë ka përgënjeshtruar pretendimet se kryeministri indian Narendra Modi ka kërkuar nga presidenti i SHBA-ve Donald Trump të "ndërmjetësojë" për çështjen e Kashmirit mes tyre dhe Pakistanit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të NDTV, ministri i Jashtëm i Indisë, Subrahmanyam Jaishankar, në një deklaratë në Asamblenë shtetërore të Parlamentit (Rajya Sabha) përgënjeshtroi deklaratën e Trumpit se Modi ka kërkuar të "ndërmjetësojë" për çështjen e Kashmirit. "Nuk është bërë një kërkesë e tillë", tha Jaishankar.
"Dua të siguroj kategorikisht Asamblenë se kryeministri nuk ka bërë një kërkesë të tillë nga presidenti amerikan. Gjithashtu dua të përsëris se India ka një qëndrim konsekuent në lidhje me atë se të gjitha çështjet e rëndësishme me Pakistanin t'i marrë përsipër vetëm në mënyrë dypalëshe", u shpreh ai.
Trump: "Mund të jem ndërmjetësues në çështjen e Kashmirit"
Presidenti amerikan Trump dhe kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, dje në takimin e tyre në Shtëpinë e Bardhë, kanë dhënë deklarata për gazetarët lidhur me zhvillimet.
Në pjesën pyetje-përgjigje që u zhvillua me gazetarët dhe zgjati rreth 40 minuta, ishte vënë theksi në përpjekjet që marrëdhëniet SHBA-Pakistan të zhvillohen më mirë në të ardhmen.
"Para dy javësh isha bashkë me kryeministrin Narendra Modi. Biseduam edhe për këtë temë. Ai më pyeti vallë do të bëhem ndërmjetës. Edhe ju edhe ata dëshirojnë që kjo çështje të zgjidhet. Edhe unë thash 'mund të ndihmoj, mund të jem ndërmjetës'. Kjo çështje duhet të zgjidhet", tha Trump duke treguar se mund të luaj rol në çështjen e Kashmirit mes Pakistanit dhe Indisë.
Çështja e Kashmirit
Britania e Madhe gjatë tërheqjes së saj nga India në vitin 1947, kishte lënë të lirë Kashmirin i cili ishte nën sundimin e princit, t'i bashkohet ose Indisë ose Pakistanit. 90 për qind e popullatës së Kashmirit e cila është muslimane në vitin 1947 dolën me qëndrimin që t'i bashkohen Pakistanit, por princi i asaj kohe, vendosi të bashkohet me Indinë në vend të Pakistanit. Ndërsa këtë vendim e kundërshtoi popullata muslimane e Kashmirit.
Pasi Pakistani dhe India dërguan ushtarë në rajon, palët luftuan për herë të parë në vitin 1947. Të dy vendet për të njëjtin shkak luftuan edhe në vitet 1965 dhe 1999. 45 për qind e Kashmirit është nën kontrollin e Indisë, ndërsa 35 për qind nën kontrollin e Pakistanit. 20 për qind e rajonit është nën kontrollin e Kinës. India, rajonet të cilat i okupoi i lidhi me vete nën emrin provinca "Xhammu Kashmir".
Xhamu Kashmir tani është provinca e vetme e Indisë ku jeton shumicë muslimane. Ndërsa Pakistani Kashmirin që e ka nën kontroll i dha status të dy rajoneve autonome "Azad Kashmir (Kashmiri i Pavarur)" dhe "Gilgit Baltistan".
Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), me vendimin e marrë nga viti 1948, kishte parashikuar pastrimin e Kashmirit nga ushtarët ndërsa e ardhmja t'i caktohet me referendum. India nuk është dakord me referendumin, ndërsa Pakistani kërkon të zbatohen vendimet e KS të OKB-së.
Grupet e rezistencës në Xhamu Kashmir, që nga viti 1989 zhvillojnë protesta për pavarësi ose të lidhen me Pakistanin.