MEKSIKO/NEW YORK (AA) - Projektin e presidentit të SHBA-ve Donald Trump për ndërtimin e murit, meksikanët e shohin si “racist dhe përçarës”, ndërsa thonë se vendimet e Trumpit janë kthim prapa nga vlerat demokratike, shkruan Anadolu Agency (AA).
Ndërtimi i murit në kufirin me Meksikën ishte një ndër premtimet më të mëdha gjatë fushatës zgjedhore të presidentit të SHBA-ve Donald Trump. Fillimi i zbatimit të këtij projekti u bë shkak për tensione Meksikë-SHBA.
Vetëm pesë ditë pas ardhjes në detyrë më 20 janar, Trump nënshkroi dekretin i cili parasheh ndërtimin e një muri në kufirin me Meksikën me qëllim “parandalimin e migracionit ilegal” dhe “rritjen e sigurisë”.
Deklarimi i Trumpit se financimi i ndërtimit të murit do të bëhet nga ana e meksikanëve në mënyrë të drejtpërdrejt ose në mënyrë indirekte, shkaktoi reagimin e presidentit të Meksikës Enrique Pena Nieto ku si pasojë e kësaj situate, Nieto anuloi vizitën e tij për në SHBA.
Sipas raportit të kompanisë për hulumtime Pew, me qendër në Washington, në SHBA jetojnë më shumë se 30 milionë meksikanë. Afër 11 milionë prej tyre janë migrantë të lindur në Meksikë, ndërsa të tjerët janë meksikanë të lindur në SHBA dhe që kanë të drejtën e nënshtetësisë së SHBA-ve. Ndërkaq, gjashtë milionë prej tyre kanë hyrë në mënyrë ilegale.
Në vitin 1970 në SHBA ka patur më pak se një milion migrantë meksikanë. Por, rritja e këtij numri në 30 milionë, së bashku me ata që kanë lindur në SHBA, ka bërë që drejtuesit e SHBA-ve të ndërmarrin masa në lidhje me këtë. Lëvizja e këtij migrimi është marrë nën kontrollë sidomos nga kontrollimet kufitare dhe politikat deportimit në perudhën e Obamas.
Gjatësia e kufirit Meksikë-SHBA është afër 3.000 kilometra, ndërsa në një pjesë prej 1.100 kilometrave janë pjesë prej murit, gardhit dhe rrjeteve të telit, vende vende të ndara mes vete.
Jashtë këtyre ndërtimeve të cilat njihen si “Barriera Meksikë-SHBA”, muri planifikohet të ndërtohet në pjesën e 1.600 kilometrave të kufirit 1.900 kilometra të gjatë, ndërsa projekti i murit nuk planifikohet të realizohet në pjesën malore prej 300 kilometrave të tjera. Informohet se ekzistojnë edhe alternativa të tjera që në vend të murit, të vendosen gardhe në disa pika kufitare.
“Trump krahasohet me Hitlerin”
Numri i popullatës në Meksikë, e cila është një ndër shtetet e G20, është 120 milionë. Meksika ka investime të mëdha ekonomike nga brendet ndërkombëtare që realizojnë shitje në SHBA.
Thirrja e Trumpit ndaj këtyre kompanive për t'i bërë punësimet e tyre në SHBA dhe deklarata i tij që në të kundërtën do të ketë rritje të taksave doganore, mund të sjellë deri te probleme më të thella ekonomike në Meksikë, e cila edhe tani vetëm se është në një gjendje të keqe ekonomike.
Kërkesa e Trumpit për rishikimin e marrëveshjes së Tregtisë së Lirë në Amerikën e Veriut (NAFTA) rrit edhe më tepër presionin aktual ndaj ekonomisë së Meksikës.
Edhe valuta e Meksikës pezo humb vlerën e saj ndaj dollarit amerikan nga këto zvillime, kështu që aktualisht një dollar amerikan vlen më shumë se 20 pezo.
Në një vlerësim për AA nga ana opinionit meksikan në kryeqytetin e Meksikës, Mexico City, thuhet se muri në fjalë dhe politikat e tjera të Trumpit kanë për qëllim përçarjen e dy kulturave dhe se këto hapa do të jenë kthim mbrapa nga vlerat e përgjithshme demokratike.
Miguel Sanchez, punonjës në ndihmën e shpejtë, në një prononcim për AA në sheshin historik Zocalo, theksoi se vendimet e Trumpit nuk do të ndikojnë vetëm te meksikanët, por te të gjithë.
“Po, meksikanët kalojnë kufirin në mënyrë ilegale për në SHBA, por Trump, me ndërtimin e këtij murit më shumë do të ndajë SHBA-të prej pjesës tjetër të botës se sa do ta mbrojë kufirin", tha ai.
Sanchez komentoi edhe në lidhje me planin e Trumpit për sjelljen e më shumë taksave doganore ndaj produkteve nga Meksika. “Ajo që është më e mirë këtu, eskportohet në SHBA. Nëse nuk shiten atje, ne do të kemi mundësinë që këtu të konsumojmë produkte më të mira", theksoi Sanchez.
Sanchez pohoi se këto vendime do të kenë efekte negative në periudhë afatshkurte, por në periudhë afatgjate meksikanët do të fitojnë nga kjo.
“Ka një kohë të gjatë që Trump krahasohet me Hitlerin dhe edhe unë mendoj që është ashtu", tha Sanchez në kritikat e tij ndaj Trump.
Ky vendim racist do të jetë shkak për ndarjen e kulturave
Daniela Galicia, nxënëse në shkollë të mesme, vlerëson se projektet e Trump janë një paralajmërim për Meksikën që të fokusohet në planet e veta ekonomike. “Patjetër se ky mur do t'i ndajë kulturat. Sepse kemi shumë miq në anën e tjetër. Ky është një vendim racist dhe kjo është shumë pikëlluese. Në vend se të zhvillojmë vlerat njerëzore, mendoj se jemi duke shkuar prapa", theksoi Galicia.
Ai gjithashtu kritikoi vendimin për parandalimin e migrantëve nga disa shtete muslimane. “Këta njerëz ikin nga problemet dhe konfliktet që kanë në shtetet e tyre. Njerëzit duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin. Kjo nuk është e drejtë", tha ajo.
Galicia ka kritikuar edhe planin e Trumpit për financimin e murit nga meksikanët. “Kjo është tallje me ne. Nëse dëshiron të ndërtosh një mur, ndërto, por jo me paratë tona", theksoi Galicia.
Ndërkaq, Gabriela Cantu, eksperte për stoli, tha se nuk beson se ky mur do të ndërtohet dhe se do të kushtonte shumë.
“Trump nuk do ta paguajë këtë shpenzim. Nuk do ta paguajmë as ne. Mendoj se kjo do të mbetet në gjendjen aktuale. Trump mundohet t'i përçajë njerëzit", u shpreh Cantu.
“Por nuk mendoj se do të mund të bëjë diçka më shumë përveç kësaj", tha Cantu, duke shtuar se Trump me këto deklarata mundohet që të tërheq më shumë vëmendje.
Nga ana tjetër, Jose Guadalupe, i cili punon si lyerës, pohon se Trump do të shkaktojë luftën e tretë botërore. “Këtu përgjegjësia bie mbi amerikanët. Ky president nuk është një person adekuat për atë pozitë. Ai flet vetëm gjëra të këqija për meksikanët. E ndalon hyrjen e muslimanëve në SHBA. Mendoj se është një njeri i llojit të Hitlerit. Nuk duam një president të tillë. Ne jemi në kërkim të një jete më të gjatë dhe më të lumtur, ndërsa ai është në kërkim të luftës", vuri në pah ai.
“Do të zvogëlohen bashkëpunimet ekonomike dhe kulturore”
Biologia Mayra Tores thotë se muri nuk është i nevojshëm. “Muri do ti ndajë kulturat tona. Do të zvogëlohen bashkëpunimet ekonomike dhe kulturore të arritura ndër shumë vite", tha ajo.
Tores, këto praktika nga ana e Trumpit i karakterizoi si “racizëm”, duke u shprehur se një mendësi e tillë nuk mund të jetë e pranueshme në këtë epokë.
“Në këto momente nuk kemi një ekonomi të mirë, por ekonomia varet nga ne. Mund të përparojmë më shumë në atë lëmi", theksoi Tores.
Edhe Betsabe Lopez, e cila jeton në afërsi të kufirit SHBA-Meksikë, ka komentuar mbi këtë çështje. “As amerikanët, as qytetarët e vendeve të tjera nuk përfitojnë asgjë nga idetë e Presidentit të SHBA-ve. Idetë e tij kanë domethënien e kthimit prapa dhe në një mënyrë do të ndikojnë te të gjithë ne", u shpreh Lopez.
news_share_descriptionsubscription_contact
