Mahmut Atanur
20 nëntor 2020•Përditësim: 20 nëntor 2020
Mahmut Atanur
Në Indonezi, e cila ndodhet në zonën e "Unazës së Zjarrtë të Paqësorit", 1.2 milionë njerëz jetojnë në rrezik nga vullkanet, shkruan Anadolu Agency (AA).
Indonezia ka më shumë se 120 vullkane aktive, më të mëdhatë në botë. Vendi ndodhet gjeografikisht midis rajoneve me aktivitetin më të lartë vullkanik dhe sizmik ndërsa është shtëpia e rreth 13 për qind të maleve aktive vullkanike.
Me një popullsi prej afërsisht 270 milionë banorë, 197 milionë njerëz në të gjithë vendin janë 100 kilometra nga malet vullkanike ndërsa 9 milionë njerëz janë 10 kilometra larg.
Sipas Drejtorisë kombëtare të fatkeqësive (BNPB), 1.2 milionë njerëz në ishuj të ndryshëm si Sumatra, Java, Bali dhe Maluku jetojnë rreth vullkaneve aktive.
Ndërsa 69 prej 127 vullkaneve aktive në vend vëzhgohen 24 orë në ditë nga Qendra për Vullkanologji dhe Reduktimin e Katastrofave Gjeologjike (PVMBG), Sumatra dhe ishulli i Java janë ndër rajonet me numrin më të madh të vullkaneve.
Sipas të dhënave, 21 vullkane nuk kanë shpërthyer kurrë deri më tani, pavarësisht nga aktiviteti vullkanik.
Vlerësohet se afërsisht 100 mijë njerëz kanë humbur jetën direkt dhe indirekt në shpërthimin e vullkanit Tambora në vitin 1815, i cili u regjistrua si shpërthimi më i madh vullkanik në historinë e fundit botërore.
Në Indonezi, ku më shumë se 36 mijë njerëz humbën jetën në shpërthimin e vullkanit Krakatau në vitin 1883, shpërthimet e vullkaneve të ndryshme si Merapi, Tambora, Sinabung, Kelud, Galunggung dhe Agung morën më shumë se 150 mijë jetë midis viteve 1815 dhe 2018.
Më shumë se 500 banorë u evakuuan nga një zonë afër vullkanit Merapi në Indonezi në fillim të këtij muaji për shkak të rritjes së rrezikut.
Agjencia e Situatave Emergjente në Javan Qendrore tha se për shkak të aktivitetit të shtuar të vullkanit, niveli i rrezikut u ngrit dhe se popullata nga nëntë fshatra u evakuua.
Gjatë evakuimit, prioritet ishin të moshuarit, fëmijët, gratë shtatzëna, gratë me fëmijë të vegjël dhe personat me aftësi të kufizuara.
Zyrtarët lokalë shpjeguan se më shumë se 500 persona janë zhvendosur në vend të sigurtë dhe se evakuimet në zonën Cangkringan, afër vullkanit, do të vazhdojnë deri të hënën.
Qendra për Hulumtimin dhe Zhvillimin e Teknologjisë së Katastrofave Gjeologjike (BPPTKG) tha se ishte lëshuar një paralajmërim portokalli për shkak të aktivitetit të vullkanit Merapi.
Si pasojë e shpërthimit të vullkanit Merapi i lartë 2.968 metra, i cili ndodhi në vitin 2010, humbën jetën 347 persona.
Sistemi i paralajmërimit kundër aktiviteteve vullkanike në Indonezi është i ndarë në katër ngjyra, gjelbër, verdhë, portokalli dhe e kuqe, e cila po ashtu është shkalla më e lartë.