İnci Gündağ
04 Mars 2017•Përditësim: 05 Mars 2017
LONDËR (AA) - Ministri britanik i Punëve të Jashtme, Boris Johnson, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Rusi gjatë javës së jashtme ku do të takohet me zyrtarë të lartë të këtij vendi, raporton Anadolu Agency (AA).
Vizita e tij do të zhvillohet në kuadër të një ftese të marrë nga homologu i tij rus, Sergey Lavrov.
Njoftimi për këtë vizitë është bërë nga Ministria britanike e Punëve të Jashtme ku thuhet se Kryeministrja Theresa May dhe shefi i diplomacisë së këtij vendi Johnson, kanë përcaktuar mirë politikën për Rusinë e cila bazohet në mendimin "krijo marrëdhënie me Rusinë, por kujdes. Vizita është në përputhshmëri me këtë parim", thuhet në deklaratën e kësaj ministrie dhe më pas theksohet se në takime do të bisedohen tema si Siria, Ukraina, çështje rajonale dhe globale.
"Kjo vizitë nuk nënkupton se çdo gjë është kthyer në normalitet. Ministri i Punëve të Jashtme do të vazhdojë të ndjekë të njëjtin qëndrim për çështje ku ka pikëpamje të ndryshme. Ne kemi thënë hapur se Britania e Madhe do të ngrejë marrëdhënie me këdo në kuadër të interesave të vendit. Së shpejti do të ketë detaje në lidhje me vizitën", thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Gjatë një fjalimi të mbajtur në muajin dhjetor, shefi i diplomacisë britanike, Johnson tha se vendi i tij do të vazhdojë me qëndrimin e fortë kundër Rusisë, por se ky fjalim nuk do të thotë se ata nuk do të kenë marrëdhënie me këtë vend.