Eren Beksaç
10 shtator 2026•Përditësim: 10 shtator 2026
Përfaqësuesi i Fondacionit Maarif të Turqisë (TMV) në Kosovë, Mehmet Nedim Aslan deklaroi se Shkollat Ndërkombëtare Maarif në Kosovë janë shkolla e parë në këtë vend që ofron arsim në fushën e inteligjencës artificiale, duke e përfshirë atë në planprogram, raporton Anadolu.
Përfaqësuesi i TMV-së, Aslan, në një deklaratë për Anadolu tha se Shkollat Ndërkombëtare Maarif në Kosovë kanë nisur vitin e ri shkollor me kapacitet të plotë në degët e tyre në Prishtinë dhe Prizren.
Duke theksuar se për shkak të kërkesës më të madhe se kapaciteti i shkollave, u është dashur të refuzojnë disa kërkesa, Aslan tha se së shpejti do të hapin një kampus të ri arsimor në Prizren, i cili do të ketë dyfishin e kapacitetit aktual ndërsa po punojnë edhe për të pasur një shkollë më të madhe në Prishtinë.
Aslan tha se në Strategjinë e Arsimit 2022–2026 të Kosovës janë përfshirë politika për digjitalizimin e shkollave, por për arsye të ndryshme këto objektiva ende nuk janë zbatuar sa duhet në shkolla. Ai theksoi se Shkollat Ndërkombëtare Maarif në Kosovë janë ndër shkollat pioniere në fushën e digjitalizimit të arsimit dhe se po zhvillojnë punë të rëndësishme në këtë drejtim.
"Vitin e kaluar ishim përzgjedhur nga fondacioni ynë si një nga vendet pilot ndërsa këtë vit e përfshimë në kurrikulën tonë dhe po përjetojmë krenarinë e të qenit shkolla e vetme dhe e para në Kosovë që e ka përfshirë dhe zbatuar inteligjencën artificiale në kurrikulë", tha Aslan.
Ai thekson se Shkollat Ndërkombëtare Maarif në Kosovë arrijnë çdo vit shumë suksese si në arenën kombëtare, ashtu edhe në atë ndërkombëtare, duke potencuar se veçanërisht spikasin në kodimin robotik, olimpiadat STEM si dhe aktivitetet sportive dhe sociale.
Sipas tij, nxënësit do të mbështeten edhe lidhur me mënyrën, vendin dhe qëllimin për të cilin duhet ta përdorin teknologjinë. "Ne e nisëm këtë, shpresoj që kjo të realizohet sa më shpejt edhe në shkollat e tjera të Kosovës", tha Aslan.
Ai shtoi se se Shkollat Maarif spikasin jo vetëm për sukseset e tyre akademike, por edhe për aktivitetet sociale dhe kulturore, duke theksuar se fondacioni ka një filozofi për "rritjen e individëve të mirë dhe të virtytshëm".
"Ndërsa bëjmë çmos që fëmijët dhe nxënësit tanë të arrijnë sukses akademik, njëkohësisht punojmë që ata të bëhen individë të dobishëm për shoqërinë, familjet, vendin dhe miqtë e tyre", tha Aslan.
Shkollat Ndërkombëtare Maarif në Kosovë, të cilat nisën aktivitetet në vitin 2017, kanë rreth 800 nxënës në degët e tyre në Prishtinë dhe Prizren.