Ekip
10 Korrik 2019•Përditësim: 11 Korrik 2019
Zyrtarët shëndetësorë në Spanjë njoftuan se 4 persona janë plagosur në garën e sotme me dema në festivalin San Fermin në Pamplona, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në mesin e të shtruarve në spital janë dy shtetas të SHBA-së dhe dy spanjollë. Tre të tjerë pësuan të enjtura, ndërsa një person mbeti pa ndjenja, thekson Kryqi i Kuq i Spanjës.
Gara e mbajtur sot në mëngjes ishte më e shpejta deri më tani gjatë festivalit. Ajo zgjati vetëm 2 minuta e 19 sekonda për dallim nga tjerat që ishin më të gjata se 3 minuta.
Festivali San Fermin tradicionalisht mbahet nga viti 1924 ndërsa sot është një nga ngjarjet më të rëndësishme në Spanjë.
Çdo vit në argëtimin nëntëditësh të pandërprerë marrin pjesë rreth një milion njerëz nga e gjithë bota.
Duke filluar nga e diela, çdo mëngjes mbahen gara me dema në distancë prej 825 metra. Përveç garës me dema, gjatë festivalit mbahen edhe shumë ngjarje të tjera kulturore dhe zbavitëse.