Sipas një studimi të botuar nga ekspertët e kompanisë globale amerikane të auditimit "McKinsey & Company", Afrika, kontinenti i dytë më i madh dhe më i populluar, vlerësohet se si pasojë e shpërthimit të koronavirusit të ri (COVID-19) do të humbasë 90 deri në 200 miliardë dollarë në vitin 2020, transmeton Anadolu Agency (AA).
Për popullsinë 1.2 miliardë banorësh të shtrirë në 54 vende të këtij kontinenti, sektori jozyrtar është segmenti kryesor që përvetëson punësimin në Afrikën e pasur me burime, por të varfër në menaxhimin e tyre.
Në Afrikën sub-sahariane sektori jozyrtar kontribuon me 66 për qind të punësimit të përgjithshëm, që klasifikohet si një grup i aktiviteteve ekonomike, ndërmarrjeve dhe punësimeve të cilat janë të parregulluara apo nuk mbrohen nga shteti.
Popujt e vendeve të Afrikës po luftojnë me pak ose aspak ndihmë nga qeveritë, pasi shumica e bizneseve janë mbyllur, gjë që ka ndikuar në punësimet dhe jetesën e afrikanëve.
Numri i rasteve të koronavirusit në Afrikë ka tejkaluar shifrën 10 mijë, ndërsa numri i vdekjeve ka tejkaluar shifrën 500.
Drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Afrikën, Matshidiso Moeti, ka deklaruar se COVID-19 ka potencial jo vetëm që të shkaktojë mijëra vdekje, por do të lë pasoja shkatërrimtare ekonomike dhe sociale në këtë kontinent.
Meqenëse qeveritë afrikane kanë imponuar masa të shumta për të ndaluar përhapjen e koronavirusit, përfshirë mbylljen e shkollave, vendosjen e kufizimeve të udhëtimit dhe ndalimin e tubimeve të mëdha, ende nuk po pakësohet raportimi i rasteve të reja.
Në një bisedë me AA, 30-vjeçarja Mercy Warui nga Nairobi, nënë e vetme e dy fëmijëve, tha se nuk mund të lëviz nga një vend në vend tjetër për shkak të kufizimit të lëvizjes në Nairobi.
"Për çdo ditë fitoja rreth 4 mijë shilinga në Kenia (37 dollarë), por tani nuk mund të fitoj as edhe një monedhë të vetme", shprehet ajo.
Aktualisht, Warui jeton me vëllanë e saj pasi nuk ka para.
"Ai është një mësues, por ai gjithmonë thotë se së shpejti do t'i mbarojnë kursimet, sepse mësuesit po ashtu nuk punojnë", thotë Warui.
Mbyllja e tregut ushqimor godet zinxhirin ekonomik
Siç thotë për AA një ekspert i Programit të Mjedisit të Kombeve të Bashkuara (OKB), Richard Munang, aktorët e sektorit jozyrtar fitojnë mjete jetese duke sjellë mallra bujqësor nga fermat në vendbanimet urbane dhe ata janë pjesë e zinxhirit ushqimor.
Munang thekson se mbyllja e tregjeve ushqimor ka prekur një numër të madh të njerëzve në sektorin jozyrtar, të cilët tregtojnë më pak se 150 dollarë në ditë dhe mbështeten në një pagë ditore. Bllokimi, sipas tij, po ashtu ka prishur shumë rezerva ushqimore.
"Ata mbyllën tregjet si një masë për të parandaluar përhapjen e virusit. Kjo do të thotë se nuk ka klientë. Nuk ka klientë do të thotë nuk ka para për t'u kujdesur për djalin tim, i cili është vetëm katër muajsh", tha Fabien Chenyi për AA, një menaxher i lokaleve të vogla në Yaounde të Kamerunit.
Sikurse Warui, shumë të tjerë që mbijetojnë me paga ditore shpresojnë se periudha e bllokimit do të përfundojë së shpejti. Ajo po ashtu shpreson se një kurë për pandeminë do të prodhohet së shpejti, përndryshe Nairobin e pret një kaos.
Nevojitet investim në kapitalin njerëzor
Zyrtari i OKB-së, Munang, thotë se qeveritë në vendet afrikane duhet të dalin me zgjidhje kreative për të siguruar qëndrueshmërinë e sektorit jozyrtar. Ai tha se Afrika duhet të investojë me qëllim drejt zhbllokimit të mundësive të kredisë në sektorin jozyrtar. Sektori jozyrtar i Afrikës përfaqëson një treg kredie me vlerë mbi 300 miliardë dollarë.
Por kjo mbetet e pashfrytëzuar, sepse sipas Munang, strukturat zyrtare të udhëhequra nga bankat komerciale mbetet të gatshëm të financojnë ekonominë jozyrtare.
Munang tha se ndryshe nga Perëndimi, Afrika ka avantazhin e të të rinjve. Prandaj, thotë ai, ekziston nevoja për të investuar në kapitalin njerëzor dhe për të përgatitur një popullsi të aftë.
"Në botën pas COVID-10, këto ekonomi do të rikuperohen shpejt, të cilët kanë kapital produktiv njerëzor", tha zyrtari i OKB-së, duke shtuar se qeveritë duhet t'i japin përparësi ndihmës ndaj atyre që tregtojnë me mallra që prishen.
Ai tha se një paketë stimuluese për tregtitë e vogla dhe rregullimi i tyre përmes kooperativave mund të ndihmojë në ringjalljen e ekonomive në kontinent.