Zülfiya Yakup
06 Mars 2019•Përditësim: 07 Mars 2019
Malta vazhdon të mbështesë integrimet evropiane për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, u tha sot pas takimit të ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Promovimit të Tregtisë së Maltës, Carmelo Abela, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri Abela në konferencën e përbashkët për media pas takimit me Pacollin tha se marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Maltës dhe Kosovës zyrtarisht u vendosën në shtator të vitit 2011, ndërsa Malta e njohu Kosovën në gusht të vitit 2008, të njëjtin vit kur shpalli pavarësinë. Abela tha se Malta do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në procesin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, si INETRPOL, UNESCO dhe të tjerat, në mënyrë që të garantojë ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal global.
Ai tha se edhe pse Kosova i plotësoi 95 kriteret e kërkuara për liberalizimin e vizave, ka vende brenda Bashkimit Evropian që për arsye politike kundërshtojnë heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
"Ne do të vazhdojmë të mbështesim liberalizimin e vizave për Kosovën. Ne votuam në Komitetin LIBE në Parlamentin Evropian, por e di se, nga ana tjetër, disa anëtarë të BE-së, për disa arsye politike, ende janë kundër liberalizimit të vizave. Ne duhet të vazhdojmë dialogun në këtë drejtim", tha Abela.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Pacolli, tha se edhe në takimin e sotëm u konfirmua se Kosova mund të llogarisë në mbështetjen e pakufizuar të Maltës në të gjitha fushat.
"Biseduam për vizita, shkëmbim pikëpamjesh dhe përvojash. Në të ardhmen e afërt do të kemi viza elektronike dhe ata që vijnë në Kosovë, do të bëjmë të mundur aplikimin në mënyrë elektronike për vizat dhe Malta ka përvojë në këtë drejtim, me sistem të avancuar dhe kemi rënë dakord që një delegacioni i yni të shkojë në Maltë dhe të shoh se si funksionon", tha Pacolli.
Ai tha se sot do të nënshkruhet marrëveshje midis dy vendeve për heqjen e doganimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal të tatimit mbi të ardhurat.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve rreth taksës prej 100 për qind për mallrat nga Serbia, Pacolli përsëriti se Kosova ka vendosur taksat për shkak të obstruksioneve që i bëhen Kosovës.
Pacolli tha se dialogu me Serbinë duhet të fillojë njëkohësisht me bisedimet rreth taksës. Ndërsa ministri i Maltës, Abela tha se vendi i tij lidhur me çështjen e taksës është në të njëjtën linjë me qëndrimin e Komisionit Evropian se taksa duhet të hiqet.