Saimir Alija
05 Mars 2019•Përditësim: 05 Mars 2019
Partitë opozitare të Shqipërisë kanë vijuar protestën gjatë ditës së sotme gjatë kohës që po mbahej seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa në disa momente ka patur edhe tensione, raporton Anadolu Agency (AA).
Protesta para selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, u organizua nga Partia Demokratike (PD) dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), me kërkesën për krijimin e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Pjesë e protestës në Tiranë që zgjati disa orë ishin edhe mbështetës të partive opozitare nga qytete të tjera të vendit, ndërsa gjatë protestës janë hedhur tymuese dhe sende të ndryshme drejt forcave të policisë, si dhe u shkaktua edhe zjarr nga djegia e gomave.
Gjatë fjalës në protestë, lideri i opozitës dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë(PD), Lulzim Basha, tha se protesta e opozitës është një betejë për Shqipërinë e vlerave. “Kjo është beteja për Shqipërinë evropiane. Vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme do ta hapin derën e Evropës”, theksoi Basha.
Protestuesit së bashku me liderët e partive opozitare në fund të protestës u drejtuan për në selinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Shqipërisë(KQZ), ku qëndruan pranë selisë së këtij institucioni në momentet që kandidatët për deputetë dorëzonin dokumentin e dorëheqjeve të tyre, pasi nuk kanë pranuar të marrin mandatet parlamentare sipas listave emërore të partive të opozitës.
Për mbarëvajtjen e protestës dhe sigurinë për seancën e sotme parlamentare janë angazhuar qindra forca policore.
Reagon kryeministri Rama
Në fjalën e tij gjatë seancës parlamentare, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se parlamenti është vendi ku i ka sjellë shumica e shqiptarëve për të qeverisur deri në vitin 2021.
Rama theksoi se janë të gatshëm të dialogojnë për gjithçka, ndërsa u shpreh se “mandatin e marrë nga shumica e qytetarëve nuk e negociojmë. Mandati ynë nuk është një letër bixhozi. Ne me mandatin nuk luajmë bixhoz.”
“Jemi gjithmonë të gatshëm të flasim, në çdo moment, dora jonë e shtrirë, gatishmëria jonë për të folur është gjithmonë. Ne jemi gati të dialogojmë për gjithçka, por ne nuk jemi gati dhe nuk do jemi asnjëherë gati të negociojmë rregullat themelore që bëjnë ndryshimin mes këtij sistemi ku njerëzit zgjedhin dhe respektojnë mandatin që ju japin njerëzit dhe çdo sistemi tjetër. Demokracinë, parlamentarizmin dhe mbi të gjitha mandatin e marrë nga shumica dërrmuese e qytetarëve ne nuk e negociojmë me askënd”, u shpreh Rama.
Gjatë seancës së sotme parlamentare u betuan edhe katër deputetët e rinj, të cilët morën mandatin pas vendimit për dorëzimin e mandateve nga deputetë e opozitës, si pjesë e listës emërore të LSI-së.
Deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), vendosën të japin dorëheqje nga mandatet e tyre parlamentare, ndërsa ky vendim është kundërshtuar nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE).
Partitë opozitare kanë organizuar gjatë shkurtit disa protesta në Tiranë që u përfshinë edhe nga tensionet, ndërsa insistojnë në krijimin e një qeverie tranzitore që do të organizojë sipas tyre zgjedhjet e parakohshme.