Bekim Laci
12 Tetor 2017•Përditësim: 13 Tetor 2017
SHKUP (AA) - Qeveria e Republikës së Maqedonisë ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me kombinatin "Jugohrom" me të cilin parashihet ristartimi i fabrikës, duke marrë rolin e një garantuesi se pronari do të vendos filtrat për të plotësuar standardet e domosdoshme ekologjike të caktuara për këtë lloj industri, raporton Anadolu Agency (AA).
Memorandumin e nënshkruan Zëvendëskryeministri Koço Angjushev, drejtori i Shoqatës për prodhim, tregti dhe shërbime "Jugohrom Alzar", Vasko Skenderovski dhe kryetari i organizatës Sindikaliste të "Jugohrom"-it, Bajram Amiti.
Zv/kryeministri Angjushev, në deklaratën e tij për mediat tha se me nënshkrimin e memorandumit bëhet e qartë se fabrika do të vazhdojë punën, se pronarët do të investojnë për ndërtimin e filtrit për çka siç tha, tashmë ka një marrëveshje të nënshkruar.
Ai tha se qeveria do të përkujdeset për të gjitha punët administrative në bazë të kompetencave meqë bëhet fjalë për një kapacitet prodhues shumë të rëndësishëm për rajonin e Pollogut. Sipas tij, punëtorët e pushuar nga puna, fitojnë garancitë se do të rikthehen në vendet e punës.
“Dua të theksoj, se do të jenë të kënaqura të gjitha organizatat ambientaliste dhe qytetarët të cilët me të drejtë kishin vërejtje për punën e 'Jugohrom'-it për arsye ekologjike dhe se 'Jugohrom'-i do të fillojë punën vetëm pasi të ketë instaluar filtrin”, tha Angjushev.
Drejtori i Shoqatës për prodhim, tregti dhe shërbime "Jugohrom Alzar", Vasko Skenderovski, nga ana e tij tha se memorandumi në mënyrë shumë të qartë u bën me dije palëve nënshkruese për detyrimet që marrin mbi vete, në mënyrë që të rifillojë puna e "Jugohrom"-it.
“Nuk duhet të ketë asnjë frikë se 'Jugohrom'-i do të nis punën pa filtra. Përkundrazi, ky është një motiv shtesë që sa më shpejtë të vendosim filtrat, që do të shkojë në etapa duke filluar nga furrat 7 dhe 8”, tha Skenderovski, sipas të cilit nëse gjithçka shkon me rregull rreth punimeve, në maj të vitit të ardhshëm furrat do të jenë të gatshme për rifillim të punës.
Kryetari i organizatës sindikaliste të "Jugohrom"-it, Bajram Amiti, i cili përfaqëson punëtorët të cilët ka një vit që janë pushuar nga puna tha se ka shumë skeptikë të cilët i drejtohen me drojë se kombinati mund të fillojë punën pa filtra.
“Jam i bindur se qeveria do të gjejë një mekanizëm që investitori të fillojë sa më parë me vendosjen e filtrave që ky proces të përfundojë sa më shpejtë në mënyrë që punëtorët të kthehen në vendet e tyre të punës”, tha Amiti.
Në vitin 2005 Qeveria e Maqedonisë miratoi ndryshime ligjore, ku ndotësit duhet të plotësonin standardet ekologjike me afat deri më 1 prill të vitit 2014, ndërsa "Jugohrom" disa ditë para skadimit të afatit kërkoi më shumë kohë nga qeveria, e cila vendosi afatin e fundit për plotësimin e standardeve ekologjike deri më 31 tetor 2014.
Pas kësaj date, autoritete kompetente i dhanë edhe disa afate të tjera "Jugohrom"-it, mirëpo kombinati vazhdoi punën deri më 2 nëntor të vitit të kaluar, kur Inspektorati Shtetëror për Mjedis Jetësor solli vendim t’i ndërpriten të gjitha furrat për shkak të mosrespektimit të afatit të fundit për vendosjen e filtrave.